tregime-islame
Kujtimet me Rojtarin
Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
KOPSHTI
As mos më pyetni sa të lumtur ishim kur na bënë një kopsht në afërsi të sheshit qendror! E tërë ajo që gjendej aty bënte me dije se ai vend ishte përgatitur për fëmijë. Aty gjendëshin dhjetë luhatëse me ulëse të shumta shumëngjyrëshe, me lidhëse të lëkurës. Por, asgjë nuk mund të krahas-ohet me bukurinë e patave që notonin në pishinë, me fontanën e bukur, uji i të cilit rridhte në pishinë duke shkaktuar një gurgullimë të bukur, zëri i së cilës depërtonte në veshët tanë.
Sa i mrekullueshëm që është ky kopshti ynë!
LOJA ËSHTË PJESË E FËMIJËRISË
Shkoja te kopshti një orë para perëndimit të Diellit, në përcjellje të vëllait të vogël, Blerimit. Atje shoqëroheshim me fëmijë e tjerë të lagjes sonë. Ishim të një moshe dhe të një gjatësie, kështu që edhe hapat tanë ishin të njëjtë. Kur hynim në kopsht, i lëshonim duart, ndërsa shiki-met tona shpërndaheshin në tërë kopshtin, këmb-ët tona vraponin në drejtim të luhatëseve dhe pishinave. Shpeshherë unë dhe vëllai im i vogël lagnim ca riska buke dhe ua gjuanim patave. Kur xhaxha Rexhepi e merrte në dorë bilbilin e vet dhe i fryente, e dinim se dyert e kopshtit së shpejti do të mbylleshin. Koha e lojës dhe e argëtimit kishte kaluar. Pastaj i iknim rojtarit derisa ai e kapte ndonjërin prej nesh. Edhe kjo ishte pjesë e lojës sonë të dashur.
XHAXHA REXHEPI JU URON MIRËSEARDHJE
Është e drejtë të themi: Ai është rojtar që meriton respekt!
Na shikon me shikim të butë atëror, gjithnjë me fytyrë të buzëqeshur kur vijmë në kopsht. Kishte qenë rojtar i kopshtit edhe para se të shndërrohej në kopsht për fëmijë. Asnjëherë nuk do të harrojmë se si çdo natë, para daljes nga kopshti, na joshte me sheqerka të llojllojshme që të dilnim sa më parë. Edhe pse bilbili i tij kishte zë të këndshëm, bonbonet megjithatë e bënin të vetën. Edhe kur largoheshim nga kopshti, në veshët tanë për një kohë të gjatë tingëllonte zëri i bilbilit të tij. Ishte shprehi e xhaxha Rexhepit, që çdoherë të fishkëllonte melodinë e tij të dashur.
LOJA DHE PROVIMI NUK SHKOJNË BASHKË
Erdhi koha e provimeve. Tani nuk mund të shkojmë në kopshtin tonë të dashur. Babai m’a ka ndaluar derisa t’i mbaroj provimet me sukses të shkëlqyeshëm. Po përgatitem për provime me zell. Mirëpo, a mund t’i harroj luhatëset dhe pat-at e bukura?
Babai e ndiente se diçka po më mundonte, por kot përpiqej të kuptonte se ç’ishte. Nuk u përgjigjesha pyetjeve të tij, se e dija se nuk do ta lejonte atë që dëshiroja. Në një moment, e vërejti se po vizatoja në letër luhatëset dhe patat pranë pishinës. E lavdëroi vizatimin tim, por si rënd-omë, në mënyrë të butë, ma tërhoqi vërejtjen se duhet të mendoja edhe për lëndët e tjera.
SHKO NË PROVIM I QETËSUAR
Shumë shpejt ai vendosi diçka. Sapo e përfundoi drekën, më kërkoi mua. Nëna më dërgoi te dhoma e tij. Në hyrje i dhashë selam dhe iu ula në prehër. E kapa përqafe, duke e ndier se ka ardhur koha e gëzimit. Më tha: “Fisnik, si thua, a shkojmë me të shpejtë për një vizitë të shkurtër në kopsht? Duhet të pushosh pak, mësimi të ka lodhur. Një pushim i vogël do të të ndihmonte që nesër të shkosh në provim pa brenga dhe i qetësuar. Përgatitu, unë po të pres!”
U gëzova pa masë dhe e falënderova duke e puthur në faqe. E vërejti këtë dhe tha: “Falënderoj vizatuesin e mirë, i cili ma kujtoi këtë!”
KRENOHEM ME BABANË
I vesha me të shpejtësi këpucët dhe në një qese të vogël futa pak bukë të thatë. U përshën-deta edhe me nënën, e cila më dha disa rroba të pastra. Dola shpejt së bashku me babanë dhe Blerimin. Rrugës vëreja se si shokët e mi më vështronin nga dritaret. I luteshin Allahut që edhe baballarët e tyre t’i dërgonin ata në kopsht, siç po e bënte babai im. Edhe ata, sikur unë, mëson-in me zell. Unë shoqërohesha vetëm me nxënës të mirë dhe të zellshëm. E lutja Allahun që t’i pranonte lutjet e tyre, në mënyrë që të gji-thë së bashku të takoheshim tek xhaxhi Rexhepi, pranë patave dhe fontanave të ngjyrosura.
Sa i mrekullueshëm është babai im! Vërtet krenohem me të. Ai është simbol i njeriut të ndieshëm, të butë dhe besnik.
MIKËPRITJA E MIRË ËSHTË GOSTI
Kur na pa, xhaxhi Rexhepi buzëqeshi dhe vetullat e tij të zbardhura shndritën nga gëzimi. Nxitoi drejt nesh për të na uruar mirëseardhjen, siç bëjnë shokët e dashur pas një mungese të gjatë. E futi dorën në xhep me shpejtësi që ta kompen-sojë me bonbone, të cilat i kishte ruajtur për ne,
që prej shtatë ditësh. Kushdo që do të na shihte, në ato momente, do të mendonte se xhaxhi Rexh-epi ishte shoku im që prej njëzet vjetësh, edhe pse unë i isha vetëm dhjetë vjeç.
Sa bukur na priti! Na thirri të ulemi në ulësen e tij të preferuar, në të cilën që moti kishte gravuar emrin e tij dhe aty pranë numrin 1956.
SUKSESI ËSHTË MIK I TË ZELLSHMËVE
Pas bisedës së shkurtër me babanë tim, xhaxhi Rexhepi m’u drejtua dhe më tha: “Pse nuk po të shoh më këtu? Mendoj se je duke u përgatitur për provime. E di se je shumë i zellshëm!” I buzëqesha, e ai vazhdoi duke bërë shaka: “Ngaqë ke munguar shtatë ditë të tëra, po ta jap notën “zero”!!!”
I gëzuar për shkak të ndërhyrjes së tij, i thashë: “Vëllai im dhe unë jemi gjithnjë të parët. Do t’jua tregoj notat ndonjë ditë. Të gjitha janë pesëshe! Do të kaloj me sukses të shkëlqyer!” Duke më rrahur shpatullat tha: “Lehtë e kam unë me ju! Babai juaj mund të krenohet me fëmijët e vet të mrekullueshëm!”
FJALËT E TË MËDHENJVE JANE THESAR
Heshti pak e më shikoi në sy: “Fisnik, të premtoj që pas provimeve do të të rrëfej një tregim të këndshëm, si shpërblim për mundin tënd të madh.”
Brohorita nga gëzimi dhe thashë: “Tregim argëtues? A dini tregime interesante për ne? Xhaxha, ti je i mrekullueshëm!!! Që tani të falenderoj! Pashë Zotin, a mund të ma tregosh tani, në mënyrë që të mos mendoj për të gjatë kohës së provimeve? Të lutem xhaxha Rexhep, … do t’ju dëgjoj me vëmendje!”
E lëvizi kokën në shenjë pohimi. Ndërsa unë me shpejtësi dhe shkathtësi i mblodha edhe tetë shokët e mi, shokët në lojë në ndarjen e bonbon-eve, kuptohet, pas lejes së marrë nga baballarët e tyre.
Axha Rexhep u uroi mirëseardhje dhe filloi me tregimin e tij të paharrueshëm.
BOTA ËSHTË SKENË E MËSIMIT
Mbretëroi një heshtje e thellë. E drejtoi gishtin në drejtim të lisit nën hijen e të cilit rrinim, dhe tha: “Të dashur fëmijë, shikoni këtë dru! Me këtë dru më lidhin kujtime dhe mësime të dobishme. Disa prej tyre janë të dhimbshme, e disa të tjera janë të bukura. Ato janë mësime të paharrueshme në jetën time.”
Na habitën fjalët e tij. “Si mundet një dru ta mësojë njeriun?” Vazhduam ta dëgjonim të qetë, e ai thoshte: “Ndodhia më e rëndësishme, prej së cilës kam marrë mësim, ka ngjarë para dhjetë vjetësh. Ky dru ishte një nënë e kujdesshme që ruante në pjesën e poshtme një mbretëri të madhe milingonash të zeza. Ende mund t’i vëreni gjurmët e tyre!!!”
Vërtet mund të shihej hyrja në trung.
MILINGONAT JANË SHEMBULL I ZELLSHMËRISË
Në atë kohë punoja nga mëngjesi deri në mbrëmje duke prerë degë, duke mbjellë lule dhe drunj, si dhe duke ushqyer patat. Një herë, vëmendjen time e tërhoqi një litar i gjatë dhe i zi milingonash. I shikova me vëmendje një kohë të gjatë, duke e madhëruar Allahun xh.sh., i Cili u dha zell që prej mëngjesit të hershëm të kërkoj-në ushqim dhe ta mbledhin atë për ditë të vështira.
U afrova dhe u përkula mbi to, duke i urdhëruar si me shaka me fishkëllimën e bilbilit tim. Për çudi, sikur më kuptuan! Sa e çuditshme është bota e tyre! Njëra mbante një grimcë dhé që të ndërtonte shtëpinë, tjetra qëndronte gjysmë metri largsi nga hyrja, sikur u tregonte rrugën të tjerave, ndërsa e treta mbante një karkalec të vdekur, ndërkohë që e katërta u shkonte në ndihmë!
ROJA ËSHTË LIGJ DHE REND
Tërë këtë mund ta kuptoja disi. Por, çfarë bënin ata dy milingonat duke qëndruar pa lëvizur para hyrjes? I shikova me vëmendje! E kuptova se ato ishin rojtaret që nuk lejonin hyrjen e të huajve dhe që vëzhgonin kalimtarët dhe të papunët. Sa gjë e bukur ishte kjo! Sa të reja, të gjalla dhe të forta! Asnjë milingonë nuk mund të dilte nga kontrolli i tyre, nëse dëshironte të largohej ose të ikte. Detyra e tyre ishte e ngjajshme me timen në kopsht, prandaj vendosa t’i njihja më mirë. Ta njihja më mirë aftësinë e tyre në zgjidhjen e problemeve të rënda, siç isha edhe unë i detyruar të veproja me rastin e ardhjes sime këtu si shef i kopshtit!
NUK KA JETË PËR TË DËSHTUARIN
Me ndihmën e një shkopi e ndava kokrrën e grurit nga një milingon e vogël, e cili po e çonte në drejtim të hyrjes. Me të shpejtë milingona u kthye prapa në drejtim të kokrrës së grurit dhe vazhdoi ta tërhiqte. E përsërita këtë disa herë dhe çdo herë ajo e kapte kokrrën dhe nisej drejt magazinës së mbretërisë së milingonave.
Mendova ta fshihja atë kokërr. Me shkathtësi dhe shpejtësi e mora kokrrën dhe e futa në xhep. Milingona e kërkoi kokrrën e grurit, por kot, derisa u bind se e kishte humbur. Vendosi të hyjë duke lëvizur krahët e veta të zbrazëta, por filloi një betejë e rëndë!!!
DORA QË JEP ËSHTË MË E MIRË SE DORA QË MERR
Shpejtuan milingonat-rojtare në drejtim të milingonës së mjerë dhe sikur u grindën dhe u fjalosën me të një kohë. Papritmas, kërcyen në trupin e milingonës së lodhur dhe ia këputën kokën nga trupi, duke e lënë që të ballafaqohet me vdekjen, derisa u nda nga jeta.
E luta Allahun xh.sh. që të ma falë këtë punë të shëmtuar dhe fillova të qaj mbi trupin e vdekur të milingonës, mbi të cilën binin pikat e lotëve të mi të nxehtë dhe të dhimbshëm.
Rojtaret menduan se milingona ishte kthyer pa e përfunduar punën, andaj e kishin akuzuar dhe e kishin dënuar për përtaci dhe për papunësi. E dënuan me vdekje, se nuk ka jetë për ata që dëshirojnë të jenë barrë për të tjerët, kur janë në gjendje të punojnë.
Që nga atëherë, ky vend është bërë vend i posaçëm për mua. Ndaj bonbone për milingonën tonë dëshmor, e vdekja e së cilës ishte mësim për ata që logjikojnë. Me dorën time mëkatare kam shkruar në ulëse pranë atij vendi: “Rexhepi, 1956v.”
MËSIMET NGA TREGIMI
1. Natyra me botën e vet bimore dhe shtazore dhe me bukurinë e vet, të cilën e ka krijuar Allahu xh.sh., është vërtet një hapësirë për jetën dhe argëtimin e fëmijëve.
2. Janë të paharrueshme momentet e lojës së përbashkët me fëmijët e lagjes në kopshtin e madh.
3. Kopshti i madh i përbashkët; ku takohen fëmijët e lagjes, e ka rojtarin e vet, i cili e hap dhe e mbyll kopshtin në kohën e caktuar me bilbilin e vet.
4. Lojërat dhe argëtimet duhet të jenë në përputhje me obligimet shkollore. Prindërit duhet të kujdesen gjithnjë për këtë çështje.
5. Dashuria e prindërve ndaj fëmijëve dhe mirëkuptimi i tyre ndaj fëmijëve të vet është i pakufishëm. Dëgjueshmërinë e fëmijëve dhe mësimin e mirë prindërit e shpërblejnë duke i lejuar të shkojnë në kopshte për të luajtur me shokët e tyre.
6. Rojtari i kopshtit quhej Rexhep. Ai zgjidhte mjete dhe mënyra për të gëzuar dhe kënaqur fëmijët.
7. Rojtari i kopshtit i shpërblente fëmijët me tregime të mira edukative në lidhje me jetën e milingonave, të cilat, me organizimin dhe zellin e tyre për punë, mund të jenë shembull për njerëzit.